Përgatitjet për 21 dhjetorin në botë

E besoni ose jo, numërmi mbrapsh po shkon drejt fundit. Bëhet fjalë për profecinë e majave për fundin e botës. Shumë janë mosbesues, por ka edhe nga ata që kanë nisur përgatitjet për apokalipsin. Është çështje orësh para se kalendari të shënojë datën e shumë-diskutuar, 21.12.2012, atëherë kur sipas interpretimit të kalendarit maja, botës do t’i vijë fundit. Por shumë me të drejtë pyesin; nëse këto fise ishin kaq të zotët sa të parashikonin zhdukjen e njerëzimit në 2012, si ka mundësi që nuk arritën të parashikonin dhe parandalonin zhdukjen e tyre? Sido që të jetë, në internet, televizion dhe shtypi i shkruar janë publikuar teori dhe anti-teori dhe 21 dhjetori është shndërruar në material për batuta mes miqsh. Ata që e besojnë kanë prenotuar një dhomë në fshatin Bugarash në Francë, që sipas atyre që mbrojnë teorinë e fundit të botës, është i vetmi vend që do t’i shpëtojë apokalipsit. Dhomat e hoteleve në fshat janë zënë prej kohësh dhe ata që nuk kanë mundur të prenotojnë kanë blerë çantën e sigurisë me mjete të ndihmës së parë mjekësore. Të tjerë kanë vendosur të udhëtojnë për të shijuar sa më shumë këto “ditë të fundit”. Duket e pabesueshme, por sipas operatorëve më të fuqishëm turistikë globalë, këtë javë është regjistruar një numër i madh i prenotimeve për udhëtime vetëm vajtje. Disa mund të qeshin, ndërsa në Kinë janë arrestuar 500 pjesëtarë të një sekti që shpërndante pamfletë, sms dhe mesazhe në internet ku njoftonin fundin e botës. Në Argjentinë është vendosur që mes 20 dhe 21 Dhjetorit të mbyllet qarkullimi në një zonë të rajonit të Kordobas pas thirrjes në rrjetet sociale nga ana e një grupi prej 150 personash.